Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) e ka mirëpritur lajmin që nxënësit e nivelit para universitar dhe atij të mesëm nga e hëna do të kthehen në objektet shkollore.
Kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj në një intervistë për Ekonomia Online tha se i gëzon fakti që nxënësit do të kthehen në shkolla nga 19 prilli, teksa ka shtuar se mësimdhënësit e preferojnë mësimin në shkolla si edhe në dobi të nxënësve.
“E kemi pritur mirë këtë lajme ngase edhe që nga fillimi mësimdhënësit e Kosovës janë deklaruar se shumë më tepër e preferojnë mësimin në institucione arsimore” u shpreh Jashraj.
“…momenti i kthimit në shkolla është edhe një dëshmi e përkushtimit të punëtorëve të arsimit por besoj se edhe institucionet edhe shteti duhet t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë dhe shteti i Kosovës duhet të bëjë çmos që të gjejë miq ndërkombëtarë që të sigurojnë sa më shumë vaksina” tha përfaqësuesi i SBAShK-ut.
Ai ka folur edhe për takimin që ka pasur javën e kaluar me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, ku tha se i kanë përsëritur kërkesën që ta kenë prioritet vaksinimin e mësimdhënësve, raporton EO.
“Javën e kaluar kemi pasur ministrin Vitia dhe kemi biseduar edhe ne e kemi përsëritur që mësimdhënësit të jenë prioritet në vaksinim dhe me të kryer etapës për vaksinimin e të moshuarve në moshë të shtyrë pritet që të na vinë vaksina një kontingjent tjetër dhe do të bëjnë që ti kenë prioritet punëtorët e arsimit, mbase jo të gjithë por të bëhet një selektim”.