Agjencia Kundër Korrupsionit gati ta verifikojë pasurinë e mjekëve dhe profesorëve

Agjencia Kundër Korrupsionit gati ta verifikojë pasurinë e mjekëve dhe profesorëve

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) 4 mijë e 737 zyrtarë duhet që deri në fund të muajit mars të deklarojnë pasurinë, ka bërë të ditur Yll Buleshkaj, drejtor në këtë institucion.



Ai ka sqaruar se ky numër mund edhe të ndryshojë ngase mund të ndodhin emërime apo edhe shkarkime të ndonjë zyrtari.

Por për ata që nuk e deklarojnë pasurinë drejtori i AKK-së tha se ligji është i qartë, ngase mosdeklarimi është vepër penale, raste të cilat ata i dërgojnë në prokurori.

“Si zakonisht numri i zyrtarëve të cilët duhet ta deklarojnë pasurinë e që përfshin numrin e gjithë zyrtarëve të lartë është rreth 5 mijë. Këtë vit i kemi 4 mijë e 737 zyrtarë të cilët duhet ta bëjnë deklarimin. Ky numër mund të ndryshojë sepse çdo ditë mund të ndodhë emërimi apo shkarkimi i ndonjë zyrtari”.

“Ne po shpresojmë që të gjithë fillimisht do ta deklarojnë. Në vitet e fundit e kemi një histori pozitive të deklarimit, ku vetëm disa që zakonisht numri ka qenë nën 100 që nuk kanë deklaruar. Do të thotë ka qenë 2 ose 2 pikë diçka përqind të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë. Sido që të jetë, ligji është i qartë për ata të cilët nuk e deklarojnë pasurinë. Ata me këtë veprim bëjnë vepër penale dhe rasti i tyre, pas shqyrtimit tonë të brendshëm, kalon në prokurori për ndjekje”.

Drejtori i AKK-së iu bëri thirrje zyrtarëve të lartë të cilët janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë,  ngase një lëshim i vogël ose vonim i deklarimit mund të ketë pasoja të mëdha, duke ua pamundësuar kandidimin në pozita të ndryshme.

“Kisha lut të gjithë zyrtarët e lartë të cilët janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë që ata ta bëjnë sa më parë, mos ta lënë për momentin e fundit. Momentet e fundit historikisht na kanë treguar që kanë krijuar lëshime në deklarim. Pastaj, këto lëshime është dashur që të kenë pasoja juridike e këto raste kanë kaluar në prokurori. Shumë njerëzve iu është pamundësuar kandidimi për pozita të ndryshme për shkak të rasteve të tyre në prokurori, apo për shkak që gjykata ka marrë një vendim dënues për këto subjekte. Një lëshim i vogël, një vonim i deklarimit për momentin e fundit mund të ketë pasoja të mëdha për ta”.

Buleshkaj thotë se kanë bashkëpunimin shumë të mirë me prokurorinë dhe se të gjitha materialet e dokumentet i dorëzohen këtij institucioni së bashku me kallëzimin penal.

“Zakonisht ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me prokurorinë. Të gjitha materialet që i kemi, dokumentacionin dorëzohet së bashku me kallëzimin penal. Ka raste kur kërkojnë shpjegime shtesë, por zakonisht dokumentacioni që e dërgojmë është gjithëpërfshirës do të thotë nuk ka nevojë për dokumentacion shtesë”.

“Ne e dërgojmë gjithë komunikimin që e kem pasur me palën, me subjektin deklarues. Për shembull në qoftë se unë nuk e deklaroj atëherë komunikohet me mua e pastaj përgjigjet që tentojnë ta shpjegojnë rastin e mosdeklarimit të gjitha me lëndë shkojnë në prokurori. Prokuroria e ka një follder me të gjitha dokumentacionin i cili na ka dërguar neve deri në dorëzimin e kallëzim penal”.

Ai tha se edhe nëse ndryshon Ligji e kërkohet të bëhet edhe deklarimi i pasurisë së doktorëve e profesorëve, janë të obliguar ta zbatojnë si ligj.

“Ne jemi të obliguar ta zbatojmë ligjin. Në qoftë se ligji thotë që do t’i pranojmë ne gjithsesi që do t’i pranojmë. Sfidat me të cilat do të ballafaqohemi ne do të mundohem t’i kalojmë me përkrahjen e të gjitha institucioneve të cilat janë të thirrura për të na përkrahur. Ne menjëherë po sa të aprovohet ligji do ta bëjmë vlerësim të brendshëm për nevojat shtesë qoftë për staf qoftë për burime të tjera të IT ose çfarë do qofshin ato, apo edhe për hapësira shtesë dhe këto do t’i kërkojmë nga institucionet përgjegjëse”.

Sa i përket deklarimit të pasurisë për zyrtarët e AKK-së, Buleshkaj tha se janë të gatshëm vetëm se duhet të ketë vendim nga Kuvendi.

“Ne deklarojmë pasurinë ajo e cila ka mbetur pezull për shkak të vendimit që nuk e ka marr ende Kuvendi i Kosovës është verifikimi i pasurisë të zyrtarëve të AKK-së. Ne e kemi të qartë, pasuria e të gjithë zyrtarëve të cilët kualifikohen për deklarim është publike në uebfaqe, ndërsa procesi i verifikimeve për shkak që ne nuk mund ta verifikojmë pasurinë tonë ajo ka ngecur. Po besoj që kjo do të zgjidhjet, e kam parë edhe disa prononcime që i kanë bërë, komisioni që është përgjegjës për mbikëqyrje të Agjencisë e po besoj që do të gjendet një zgjidhje e mirë. Edhe ne qoftë se na bie shorti apo për ndonjë arsye tjetër vendos komisioni të bëjë verifikimin e të gjithëve, ta kryej atë. Ne jemi të gatshëm si agjenci që të asistojmë”.

“Si AKK ne kemi qenë të hapur që nga fillimi, që ajo të kryhet sepse është edhe obligim ligjor. Si do që të jetë kjo nuk është kryer për disa vite siç e kemi kuptuar e po besojmë që do të gjendet një zgjidhje. Prap kjo është në dorën e Kuvendit të Kosovës, si institucion përgjegjës për ta bërë verifikimin”.

Related Articles