Pas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me rastin e Deçanit dhe raportimeve për dy serbët që janë parë atje, ka reaguar edhe “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë.
Zyra që drejton Petkoviq ka thënë se raportimet e tilla janë të pavërteta dhe se s’ka asnjë provë që implikon dy serbët me rastin e helmimit të ujit.
Petkoviq tutje ka thënë se pikërisht lajme të tilla kanë qenë ato të cilat kanë shkaktuar dhunën dhe trazirat e marsit 2004.
Në komunikatën e lëshuar për media nga kjo e ashtuquajtur “zyrë për Kosovën” po ashtu kanë thënë se u kanë dërguar letër sot misioneve ndërkombëtare që janë në Kosovë me një kërkesë të qartë që të ndalet kampanja e papërgjegjshme e lajmeve të rreme.
“ Si rezultat i lajmeve të tilla të rreme mund të ketë pasoja të gjera për situatën edhe ashtu të brishtë në Kosovë”, thuhet në reagim.
Lidhur me hipotezën e ngritur për dy serbët e parë para disa ditësh në Deçan ka folur sot edhe kreu i shtetit serb, Aleksander Vuçiq. Ai ka thënë se janë duke i analizuar disa pamje.
“Ne kemi një analizë të lëvizjes së automjetit me targa Novi Sadit, ata nuk ishin as 500 metra nga burimi i ujit. Ne po presim të shohim se çfarë do të thonë. Ne po presim, po dëgjojmë”, tha Vuçiq, duke u përgjigjur pyetjet e gazetarëve.