Të dy ishin kandidat për kryetar të Prishtinës, nga dy parti të ndryshme.
Tani, pas rezultateve dhe pasi përfundoi çdo gjë, fituesi i zgjedhjeve lokale të nëntorit të këtij viti, i ofroi bashkëpunim atij që e la pas.
Përparim Rama, pasi morri postin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, ka ftuar Arben Vitinë ish kandidatin e Vetëvendosjes që të bëhet pjesë e ekipit të tij qeverisës.
Rama ka marrë të martën zyrtarisht postin e kryetarit, por ende nuk ka konfirmuar drejtorët. Ai në T7 ka thënë se do të ndërtojë një ekip profesionistësh dhe jo ekip politik.
Kështu, ka treguar se ka 7 ditë që kur e ka thirrur Vitinë në takim. Duke u shprehur se oferta e tij është e sinqertë.
“100% e sinqertë. E kam thënë edhe gjatë kampanjës. E thashë edhe dje. Ideja është që të krijojmë një ekip profesioniste me njerëz profesional që mund të dërgojnë çështjet përpara. Kjo është ekip profesionale jo politike. Punët që na presin duhet të jenë të shtyra nga njerëz profesionistë”, ka thënë Rama
“I kam kërkuar që të takohemi dhe të bëjmë bisedë por nuk kam marrë përgjigje. Para 7 ditëve. I kam kërkuar takim që të bisedoj se a ka ekip që mund të kryejnë punën në aspektin profesional dhe menaxherial. Duke marrë parasysh edhe zotin Vitia që të drejtojë drejtoratin e Shëndetësisë”, shtoi ai.
Kryetari i ri i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje për përfshirjen e Lëvizjes për Bashkim në qeverisje lokale në kryeqytet.
Rama ka thënë se LB-ja, e cila përfaqësohet me një asamblist në Kuvendin Komunal, do të propozojë emrin e një drejtori komunal në qeverisjen e Prishtinës.