Kryeministri Albin Kurti ka publikuar një hartë të komunave ku ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, kështu duken renditjet dhe përqindjet e subjekteve nëpër komuna. Hartë që duhet të na shërbejë edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale në vjeshtë”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.
Në zgjedhjet e kaluara, kur Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 50 përqind të votave, ai pati thënë se “referendumi u bë”. Edhe kësaj radhe deshi ta përsërisë, madje duke kërkuar 500 mijë vota, por duket se qytetarët nuk e patën besimin tek udhëheqja e tij, njëjtë sikur para katër viteve.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV mori 42.30% të votave – duke i siguruar 48 mandate në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 vende në Kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë.