Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, u ka bërë thirrje sërish deputetëve ta votojnë Komisionin Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore.
Në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për këto kontrata, ai tha se ky Komision është shumë i rëndësishëm dhe në interes të Kosovës dhe të qytetarëve.
“Si deputetë të opozitës kemi pasur për qëllim që ta kemi bashkë një diskutim dhe të shohim arsyeshmërinë e kontratave, a kanë apo jo arsyeshmëri dhe a kanë bazë ligjore disa prej tyre. Për dy vjet, kontratat njëburimore sipas hulumtimit që kemi bërë, janë rreth 220 kontrata në vlerë të rreth 153 milionë eurove. Megjithatë, sipas hulumtimeve nga grupet e tjera, janë rreth 200 milionë euro të shpenzuara në kontratat njëburimore. Ne duhet të vijmë në një përfundim me një raport përfundimtar. Duhet të shohim se sa janë të arsyeshme këto kontrata. Abuzimet janë të mëdha, kjo është sfidë e madhe për prokurorë e lërë më për deputetë”, tha Tahiri.