Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan nëpërmjet një konference për media ka akuzuar ekzekutivin e komunës për mungesë të transparencës dhe llogaridhënie për projekte të caktuara, derisa tha se po iu mohohet e drejta për qasje në dokumente publike.
Sipas opozitës komuna asnjëherë nuk po ua ofron dokumentet fizike të kopjuara për projekte të caktuara.
Sipas PDK-së gjatë periudhës së fundit kohore dhjetëra kërkesa të tilla padrejtësisht i janë refuzuar nga ekzekutivi, andaj kanë paralajmëruar padi ndaj zyrtarëve kompetent me arsyetim se në bazë të ligjeve në fuqi komuna obligohet t’i ofroi qasje në dokumente zyrtare secilit qytetar apo subjekti politik.
Ditë më parë ky subjekt kishte kërkuar qasje në dokumente publike, lidhur me projektin e rrugës “Shqipëria” dhe “Haradin Bajrami”, me arsyetim se projekti është devijuar për shkak që mos të rrënohen disa terrasa të bizneseve të afërta me ekzekutivin.
Hyzer Rizani, kryetar i PDK-së, dega në Lipjan, me këtë rast ka thënë se ekzekutivi i komunës dhe zyrtarët përgjegjës për qasje në dokumente publike edhe kësaj radhe kanë bërë shkelje ligjore derisa ua kanë mohuar të drejtën për qasje në dokumente zyrtare për projektin e dy rrugëve.
Sipas PDK-së, zyrtarët publik në komunë po i shkaktojnë vetës shkelje të rëndë ligjore duke u ndikuar nga “shefi” i tyre për t’ia mohuar opozitës qasjen në dokumente. “PDK-së po i mohohet e drejta për të marrë kopjet fizike për projekte. Në shkresën tonë askund nuk kemi specifikuar se kërkojmë dokumente origjinale siç janë arsyetimet banale të komunës. Pra, për neve është e rëndësishme t’i kemi dokumentet zyrtare qoftë edhe kopje të tyre, mirëpo mohimet e tilla paraqesin shkelje të rëndë të ligjit për zyrtarët kompetent. Kjo qeverisje ka mungesë të transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve dhe subjekteve opozitare. Ditë më parë kemi bërë kërkesë për të marrë kopjet e projektit të rrugës “Shqipëria” dhe “Haradin Bajrami”, pasi që ne dyshojmë se ky projekt po ndërtohet me tre kursi me qëllim që mos të dëmtohen disa biznese uzurpatore përgjatë kësaj rruge të cilat janë të afërta me LDK-në. Këtë projekt ish qeverisja e PDK-së e pati projektuar me katër kursi pasi që ka hapësirë të mjaftueshme dhe është në interes të përgjithshëm. Mirëpo, kërkesa jonë për qasje është refuzuar me një arsyetim shumë banal nga komuna”, ka thënë Rizani.
Sipas tij, PDK-ja ka kërkuar dokumente fizike në këtë rast duke mos e përjashtuar mundësinë që ato të jenë edhe kopje të projekteve, por sipas tij qëllimi i Komunës ishte që opozita mos t’i marrë ato dokumente. Rizani ka sqaruar se, PDK-ja pati kërkuar qasje edhe për tenderin për ndërtimin e objektit të ri të komunës, pastaj për disa objekte banesore të ndërtuara nga njerëzit e afërt të LDK dhe dosje të tjera, por deri më tash ato janë refuzuar. “Për këto dhe shumë projekte të tjera ne dyshojmë se mungon transparenca dhe llogaridhënia e Komunës, andaj opozitës po i mohohet e drejta ligjore për qasje në dokumente, por kësaj radhe nuk do të ndalemi këtu sepse do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore që na takojnë”, ka thënë më tej Rizani. Duke shtuar se opozita gjatë gjithë kohës për secilin projekt ka sjellë fakte dhe ka bërë hulumtime e analiza, sidomos në prokurim publik, me arsyetim se kjo qeverisje ka dështuar të jetë transparente me qytetarët dhe me Bizneset.
“Duke u nisur nga shumë projekte kapitale në sektorin e prokurimit ku kjo qeverisje ka favorizuar dhe shpërblyer në shumicën e rasteve vetëm kompanitë nga Podujeva e në anën tjetër ka eleminuar vazhdimisht kompanitë vendase. Rastin konkret e kemi te ndërtimi i shëtitores përgjatë lumit Sitnica ku një kompani lipjanase pati konkurruar me çmime më të lira me mijëra euro, por nuk arriti ta marrë atë për shkaqe politike e interesa personale”, ka shtuar Rizani.