Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur lidhur me gjetjet e Auditorit të Brendshëm për disa parregullsi në Ministrinë e Infrastrukturës.
Deliu-Kodra tha se PDK tre muaj më parë kishte prezantuar 42 kontrata për punë shtesë dhe disa kontrata njëburimore në Ministrinë e Infrastrukturës.
“Pretendimet tona për paligjshmëri dhe dyshime për korrupsion u konfirmuan edhe nga zyra e Auditmit që ka gjetur një mal me parregullsi në këtë ministri. Një I tillë raport është i kualifikuar për të qenë objekt hetimor nga Prokuroria”, ka thënë Deliu-Kodra.
Deputetja ka shtuar se Auditori ka gjetur mangësi në vlerësimin e kompanive konkurruese për tender, vonesa në realizimin e projekteve e dallavere të mëdha në shpronësime.
“Auditori i Brendshëm i ka kërkuar Ministrisë së Mjedisit që ta anulojë tenderin për mirëmbajtjen e dy autostradave të Kosovës pasi që aktiviteti i prokurimit është thënë se ka qenë i manipuluar, i kurdisur me operatorin ekonomik. Aktiviteti i prokurimit nuk është anuluar ende. Mediat kanë nxjerr përgjime që shfaqin dyshime edhe për një aferë tjetër korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës kjo lidhet me rrugën Dollc-Gjakovë ku zyrtari i kompanisë dëgjohej duke kërkuar ryshfet për kryerjen e disa punëve shtesë, për rrugën e njëjtë janë gjetur edhe disa dallavere tjera”, ka thënë Deliu-Kodra.
Deliu-Kodra ka përmendur se edhe për një tender që lidhet me autostradën Morinë-Merdare, Auditori ka gjetur se për ndriçimin e saj është zgjedhur kompania prej 93 mijë euro më shtrenjtë.
“Auditori u dha vulë pretendimeve të PDK për dallavere, paligjshmëri, korrupsion e hajni. Ftojmë Prokurorinë që ti hetoj këto afera dhe të zbardhë të vërtetat. Është bazë e mjaftueshme që Prokuroria të veproj e kryeministri të shkarkoj ministrin Liburn Aliu dhe zëvendësministrin Hysen Durmishi”, tha deputetja e PDK-së.