PDK kërkon të shkarkohet ambasadori Berishaj

PDK kërkon të shkarkohet ambasadori Berishaj

Zëdhënësi i Partisë Demokatike të Kosovës, Faton Abdullahu në një konferencë për media ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas ngritjes së kallëzimit penal kundër tij nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Abdullahu tha se PDK tash sa kohë në forma të ndryshme ka insistuar që të ndriçohet rasti i ambasadorit Berishaj, që nga zbulimi i skandalit korruptiv ku përflitej se ishte përfshirë ai.

“I tillë çfarë ishte si rast, ka hapur shumë pyetje dhe dilema, ndërkaq për këtë rast, nga ana e pushtetarëve ka pasur pak e hiç përgjigje dhe ato ishin të çuditshme dhe të paargumentuara, e për rrjedhojë krejt kjo ka ngjallur me të drejtë dhe pandalshëm shumë dyshime. Për ne si Parti Demokratike ka qenë skandaloze se, edhe përkundër fakteve që janë sjellë më herët për këtë rast, ambasadori Martin Berishaj është mbrojtur nga pushtetarët aktualë, madje edhe nga Kryeministri edhe nga Presidentja”, tha ai.

Abdullahu duke thënë se mbrojtja e ambasadorit Berishaj me kaq konsekuencë dhe për një periudhë kaq të gjatë nga Kryeministri dhe Presidentja vazhdon të jetë enigmatike, theksoi se ishte ndërhyrje e pastër në sistemin e drejtësisë.

“Ne duam të besojmë shumë dhe kërkojmë me ngulm që të jepen përgjigjet e faktuara mbi atë se ku mbetën 600 mijë eurot e këtij personi i cili ka qenë edhe anëtar i VV-së dhe promotor i kësaj partie në Slloveni dhe gjithandej Evropës, në veçanti të Kurtit politikan të cilin me anketa të shpifura nga Sllovenia, nga viti 2013 e këndej, proklamohej si fitues i zgjedhjeve. Firma e tij ka vetëm një të punësuar, konkretisht vetëm Martin Berishajn, si është e mundur, ky qarkullim me vetëm një njeri. Pse ai nuk e ka deklaruar kompaninë e tij të cilën e ka në Mal të Zi, pse edhe dy kompani të tjera me seli në Kosovë (Myloja L.L.C. dhe Zaslon Kosova L.L.C.) nuk i ka deklaruar në formular”, theksoi ai.

Related Articles