PDK për perzullimin e dialogut strategjik nga SHBA: Dëmi më i madh që i është shkaktuar Kosovës

PDK për perzullimin e dialogut strategjik nga SHBA: Dëmi më i madh që i është shkaktuar Kosovës

Menjëherë pasi SHBA-të njoftuan se kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, u mlodh Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, raporton Gazeta Enigma.

PDK-ja ka fajësuar ekzekutivin për prishjen e aleancës me SHBA-në.

“Ky zhvillim i rëndë është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të pamatura dhe të papërgjegjshme të Qeverisë në largim dhe Kryeministrit në largim, Albin Kurti. Sjellja e tij ka cenuar besimin dhe partneritetin me aleatin tonë më të madh dhe më të rëndësishëm strategjik, ShBA-në, vendin që ka qenë dhe mbetet mbështetësi më i madh i lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës”.

Sipas tyre “ky është dëmi më i madh politik, diplomatik dhe strategjik që i është shkaktuar Republikës së Kosovës në 25 vitet e lirisë së saj”, pasi është cenuar drejtpërdrejt raportet me aleatin tonë kryesor dhe duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë ndërkombëtare të shtetit tonë”.

“Për më shumë se dy dekada, marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në kanë qenë të pakontestueshme, të bazuara mbi vlera të përbashkëta të lirisë, paqes dhe demokracisë. Sot, për shkak të një qeverisjeje që ka zgjedhur konfliktin mbi bashkëpunimin dhe populizmin mbi përgjegjësinë, këto raporte po vendosen në rrezik”.

Partia Demokratike e Kosovës ka ritheksuar se marrëdhënia me ShBA-të është interes jetik dhe kombëtar i Kosovës, i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Ne mbetemi të përkushtuar për ta ruajtur, forcuar dhe zgjeruar këtë partneritet në çdo rrethanë.

“Qytetarët e Kosovës e dinë se aty ku ka qenë PDK në qeverisje, marrëdhëniet me ShBA kanë qenë gjithmonë të konsoliduara dhe në rritje. Prandaj, ky dëm që i është shkaktuar Kosovës nga Qeveria në largim duhet të shërbejë si thirrje alarmi për të gjithë: partneriteti me Shtetet e Bashkuara nuk është një çështje e zakonshme politike, por themeli i sigurisë, zhvillimit dhe të ardhmes sonë”.

Kjo parti potencon se do të vazhdojë të angazhohet që ky partneritet të mbetet i pathyeshëm dhe gjithmonë në funksion të interesave të popullit të Kosovës.

“Pas sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe tani vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik, është bërë krejtësisht e qartë se vendi po rrëshqet në një drejtim të rrezikshëm për shkak të një qeverie të papërgjegjshme. Kjo është koha e fundit që të gjitha forcat politike properëndimore, me vetëdije shtetformuese, të bashkohen dhe t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme, e cila e rikthen vendin në rrugëtimin e sigurt të integrimit euroatlantik – aspiratë e përhershme e popullit të Kosovës”, thuhet më tej në deklaratën e PDK-së. / Gazeta Enigma.

Related Articles