Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se ky subjekt politik preferon koalicion me partitë opozitare.
Çitaku në konferencën për media të mbajtur të mërkurën ka thënë se PDK-ja e përjashton mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Preferojmë një koalicion me partitë opozitare dhe përjashtojmë mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, mirëpo hapat kushtetues dhe ligjor janë të qartë, të përfundojë procesi i numërimit të votave e të bëhet legjitimimi i deputetëve të rinj e më pas fillojnë konsultat dhe bisedimet me partnerët eventual të koalicionit që do të udhëhiqet nga z.Bedri Hamza”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka thënë se integritet i procesit zgjedhor duhet të ruhet, teksa ka bërë thirrje për Komsionin Qendror të Zgjedhjeve që të numërojë saktë votat.
“PDK-ja nuk e sheh këtë sukses si përmbyllje por si fillim i ri. Çdo vendim politik i PDK-së do të merret nga organet e partisë duke u bazuar në interesin e qytetarëve. Ne jemi te gatshëm ta marrim përgjegjësinë e qeverisjes me vendin. Integritet i procesit zgjedhor duhet të ruhet, i bëjmë thirrje KQZ-së që të sigurojë numërimin e saktë të çdo vote, duke garantuar respektimin e vullnetit të qytetarëve. Kosova ka zhvilluar një proces shembull demokratik dhe është e domosdoshme që të përfundojë si të tillë. Por do i presim procedurat kushtetuese, ky proces duhet të përmbyllet me integritet”, ka shtuar Çitaku.