Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marr vendim që t’ua ndajë nga 100 euro shtesë të gjithë pensionistët për muajin nëntor.
Pas mbledhjes së Qeverisë, Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë para mediave se rreth 300 mijë familje do të ndihmohen me këtë shtesë.
Sipas tij, kjo shtesë do të ndahet për të përballuar ngritjen e çmimeve në vend.
“Me vendimin për mbështetjen e skemave pensionale kemi vendosur si qeveri që në kuadër të mbështetjes dhe pakos së masave që ka paralajmëruar kryeministri të mbështetet secili person që merr pension nga shteti. Kjo për të përballuar koston shtesë e cila ka qenë rrjedhë e ditëve dhe muajve të fundit”, ka treguar ai.
Murati ka thënë se nga 100 euro do t’i marrin rreth 50 mijë familje që janë familje të veteranëve të luftës, familje të dëshmorëve e të veteranëve.
“Kjo masë është njëra nga masat me vëllimin më të madh të prekjes së jetës së qytetarëve, të mbështetjes së qytetarëve për shkak se prek përafërsisht rreth 300 mijë familje. Në kuadër të kësaj mase do të përfitojnë rreth 200 mijë pensionist që janë pensionistë të pensioneve bazike dhe kontributpaguese, do të jenë rreth 50 mijë familje që janë qoftë familje të veteranëve të luftës, familje të dëshmorëve të luftës apo të invalidëve të luftës, do të përfitojnë rreth 20 mijë familje që kanë persona me aftësi të kufizuar dhe do të përfitojnë rreth 30 mijë familje që janë të kategorive të tjera”, ka treguar ai.