Për dy ditë në Prizren u regjistruan 20 raste të zjarreve

Për dy ditë në Prizren u regjistruan 20 raste të zjarreve

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, njofton se brenda dy ditësh janë resgjistruar 20 raste të zjarreve në komunën që ai udhëheq, raporton Gazeta Enigma.

Haskuka njofton se ekipet e nevojshme janë në gatishmëri të plotë për intervenime.

Gjithashtu ka apeluar te banorët që të kenë kujdes të shtuar në vendet e rrezikuara si pasojë e temoperaturave të larta.

Postimi i tij i plotë:

Ashtu sikur në vende të ndryshme të botës, si pasojë të temperaturave të larta, edhe në territorin e komunës së Prizrenit janë paraqitur raste të zjarreve.

Gjatë dy ditëve që lamë pas, kemi pasur gjithsej 20 raste të zjarreve, të cilët kanë shkaktuar dëme sidomos në zona malore e fushore në rajonin e Zhupës, në Oshlak, Lubizhdë të Prizrenit e në Zhur. Ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve kanë marrë hapat e nevojshme konform situatës së paraqitur dhe gjendja aktuale në vend është e qetë.

Drejtoria për Emergjencë dhe Siguri është në koordinim të plotë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, FSK-në, Policinë e Kosovës, Qendrën Operative Emergjente dhe institucionet tjera të sigurisë. Ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve janë në gatishmëri të plotë për intervenime, të cilët përveç rasteve të zjarrit në komunën tonë, kanë marrë pjesë edhe në aksionet e shuarjes së zjarreve në komunën e Suharekës dhe të Pejës.

Shpresoj që të mos kemi raste të tjera të zjarreve, ndërkaq ftoj gjithë qytetarët, sidomos banorët dhe vizitorët e zonave malore e fushore, që të kenë kujdes të shtuar në këto vende të rrezikuara si pasojë të temperaturave të larta./Gazeta Enigma/

Related Articles