Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e kanë tërhequr nga Komisioni për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, punë, familje, vlerat e luftës çlirimtare dhe peticione, propozimin për dërgimin e ftesës zyrtare për raportim në Komision, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
Kjo pas kërkesës së deputetes së Vetëvendosjes Shqipe Selimi, e cila ka vlerësuar se tani nuk është koha e duhur për ta bërë një kërkesë të tillë.
“Në Kuvend kanë një raport vetëm Këshilli Gjyqësor apo Prokurorial. Më lejoni të ju tregoj se Dhomat e Specializuara nuk i paraqesin raport Kuvendit dhe Kuvendi s’ka kompetencë për këtë. Më lejoni, kolegë, të ju kujtoj se çka keni votuar, çfarë kompetenca i keni dhënë. Ky nen e vendos supremacinë mbi ligjet e Kosovës. Nuk i ftojmë kryetarët e gjykatave tona, e lëre më të gjykatave të tjera”, ka theksuar Selimi, e cila ka kërkuar që shqyrtimi i kërkesës të shtyhet për muajin korrik ose shtator, raporton Koha.
“Procesin në Hagë mos e bëni pjesë të fushatave politike. Unë nuk e kam bërë. Më lejoni të ju kujtoj se çka keni votuar atëherë: një organ, një gjykatë me ligj të Kosovës, një gjykatë hibride që nuk mund ta kontrollojmë. Prandaj ne, kolegë deputetë, nuk jemi kundër as unë, as kolegët e mi por mendojeni edhe një herë”.
Ajo ka shprehur dronë që përgjigja që do të marrin nga Trendafilova është më e dëmshme sesa kërkesa e tyre për raportim.
