Në Kuvendin e Kosovës po mbahet takimi i radhës i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë. Në këtë takim ku po merr pjesë edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Në fillim, kryeministri Albin Kurti tha se Kosovës i duhet ndihma e Bashkimit Evropian “si klubi socio-ekonomik më i pasur në botë”, ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e cilësoi BE-në si partnerin më të mirë për Kosovën
Kurti përmendi disa nga punët e Qeverisë së tij, ndërsa kërkoi që zyrtarët e BE-së ta shtyjnë përpara çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se “si Qeveri, llogarisim në përkrahje të vazhdueshme të Bashkimit Evropian gjatë rrugëtimit tonë përpara”.
Ai u shpreh se për Kosovën s’ka partner më të mirë sesa BE-ja dhe se Kosova s’ka alternativë tjetër më të mirë.
“Duke ritheksuar edhe njëherë se për Kosovën nuk ka partner më të mirë sesa Bashkimi Evropian dhe alternativë tjetër më të mirë, ju uroj punë të mbarë dhe diskutime konstruktive”, tha Bislimi.
/Gazeta Enigma/