Përdorimi i madh i armëve dhe drogës, arrestohen edhe disa të rinj në Prishtinë, Prizren e Gjakovë

Përdorimi i madh i armëve dhe drogës, arrestohen edhe disa të rinj në Prishtinë, Prizren e Gjakovë

Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Raste të tilla zbulohen pothuajse çdo ditë në të gjitha qytetet në Kosovë.

Vetëm në 24 orët e fundit, Sinjali mëson se Policia ka arrestuar disa persona që janë kapur me drogë, e disa të tjerë me armë, në plot qytete të vendit.

Sinjali mëson se fillimisht Prizren, Policia ka ndaluar një person, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme. Gjatë kontrollit të të dyshuarit, G.K., është gjetur një sasi e substancës narkotike, e llojit marihuanë, që është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar. Pas shoqërimit në stacion policor, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Ndërkohë edhe në Prishtinë është arrestuar një i mitur, i cili është kapur po ashtu me drogë, pasi Policia i ndaloi në rrugën “Zagrebi” . I njëjti ka përfunduar në Polici, ku është intervistuar nga hetuesit policorë në lidhje me veprën me të cilën ngarkohet. Pas përfundimit të procedurave policore, edhe ndaj tij është hapur rast.

Rastet e armëmbajtjeve pa leje

Mbajta e armëve pa leje është një dukur po ashtu shumë shqetësuese. Kosovarët janë goxha meraklinj të armëve ilegale, të cilat jo rrallëherë i përdorin, duke rrezikuar kështu sigurinë publike.

Një ndër rastet që është zbuluar në 24 orët e fundit ka ndodhur në  fshatin Bec të Gjakovës, ku Policia ka kryer bastisje në një shtëpi, pronarit të së cilës iu gjet një revole me dhjetëra fishekë. Posedimi pa autorizim përbën vepër penale, prandaj i dyshuari është shoqëruar në Polici, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve dhe më pas ndaj tij është hapur rast.  

Kurse në Prishtinë, në një pikë kontrolli, Policia ka ndaluar një 26-vjeçar, në veturën e të cilit është gjetur një armë, që është konfiskuar. Kurse i dyshuari Sh.Rr. është arrestuar dhe shoqëruar në stacion për intervistim. Edhe ndaj tij, Prokurori i Shtëtit ka urdhëruar inicimin e rastit.

Related Articles