Rreth 100 mijë euro pagoi Dinamo Zagrebi për Edoardo da Silvan në vitin 1998. Si të ri, Da Silvan e pati marrë nga klubi brazilian, Bangu, ndërsa nëntë vjet më vonë Dinamo e kishte shitur tek Arsenali për rreth 14 milionë euro.
Da Silva ishte është një prej dhjetëra lojtarëve që Dinamo i ka blerë lirë e i ka shitur për miliona euro në klubet më të mëdha evropiane.
Për një pjesë të lojtarëve, Dinamo ka mbajtur edhe një përqindje të kartonit, duke përfituar nga transferimet e mëvonshme të tyre.
Dinamo është lider në rajonin e Ballkanit për shitjen e lojtarëve të huaj. Përfitimet i ka shumë të mëdha. Edhe disa klube tjera funksionojnë në këtë mënyrë. Blejnë lirë lojtarë të huaj, i zhvillojnë dhe i shesin dukshëm më shtrenjtë.
Në Kosovë kjo strategji nuk funksionon ende. Klubet kosovare vazhdimisht angazhojnë lojtarë të huaj, por përfitimi prej tyre është shumë i kufizuar. Paraqitja në fushë, kontributi për skuadrën, është i vetmi. Nuk ka përfitime nga zhvillimi dhe shitja e tyre. Në fakt numri i lojtarëve të huaj që janë shitur nga klubet e vendit është fare i vogël.
Përfitime më të mëdha klubet kanë nga shitja e lojtarëve vendorë. Së fundi Drita shiti Arbnor Mujën te Antwerpi i Belgjikës, ndërsa pritet ta shes edhe Muharrem Jasharin.
Drita nuk është klubi i vetëm që ka shitur lojtarë të vendit, ndonëse shifra e përfituar nga këto shitje vazhdon të jetë modeste. Më herët kanë shitur lojtarë në klube të huaja edhe Prishtina, Trepça ’89, 2 Korriku, Ballkani, Llapi.
Llapi përfitoi 180 mijë euro nga shitja e Valmir Veliut te Gaziantepi i Turqisë, ndërsa ka mbajtur 15% të vlerës së kartonit të tij.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pranon se klubet në Kosovë punojnë me strategji të gabuar sa i takon transferimit të lojtarëve të huaj. Ai në emisionin sportiv të KTV-së, “Sporti Total”, tha se klubet vetëm humbin nga transferimi i lojtarëve të huaj.
Kryesisht klubet e Kosovës, për shkak të buxhetit të vogël, marrin lojtarë për të cilët nuk paguajnë dëmshpërblim. Por paguajnë paga për ta dhe kanë shpenzime të tjera.
Klubet jo gjithnjë respektojnë kontratat me lojtarët e huaj dhe më pas telashet më të mëdha i kanë për këtë. Lojtarët, që janë profesionistë, paratë i kërkojnë përmes FIFA-s dhe kjo shkakton telashe për klubet kosovare.
Për shkak të borxheve ndaj lojtarëve të huaj, disa klubeve u është bllokuar edhe regjistrimi i lojtarëve. Për lojtarët e vendit pyetet Federata e Futbollit e Kosovës. FFK-ja sa i takon borxheve, nuk është strikte sa FIFA.
“Duhet të kthejmë sytë kah lojtarët tanë. Do të më pyesin pse po them këtë. E them sepse nuk e di që ndonjë lojtar i huaj është shitur nga klubi i Kosovës në një klub tjetër. Ndërsa lojtarët që po i rrisim vetë po mund të debutojnë nëpër ligat si ajo e Turqisë, Belgjikës, Norvegjisë. Lojtarët që po dalin nga liga jonë po tregojnë paraqitje më të mira. Rasti më i freskët është i Valmir Veliut, në të kaluarën i Mirlind Dakut. Ne kemi bërë gabime në hapa. Kemi marrë lojtarë të huaj dhe i kemi paguar shumë më shumë se lojtarët vendorë. Të gjithë që kanë ardhur, nuk kanë treguar cilësi më të madhe se lojtarët e vendit. Nuk është shitur asnjë. Po të afronin ndonjë lojtar dhe më pas atë ta shitnim 1 milion euro, do të pajtohesha, por asnjëri nuk është shitur”, ka thënë Batatina.
Kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka, kishte treguar se sulmuesin ganez, Bismark Charlesibn, e ka shitur për 100 mijë euro te klubi bullgar CSKA Sofia. Ai i ishte bashkuar klubit bullgar në shkurt të vitit të kaluar. Mund të jetë lojtari i vetëm i huaj i shitur nga një klub kosovar.
Klubet kosovare vetëm në vitet e fundit kanë nisur të përfitojnë nga shitja e lojtarëve në klube të ndryshme të Evropës.
Para pranimit në UEFA dhe FIFA klubet nuk kanë mundur të përfitojnë nga largimi i lojtarit. Klubet dhe shkollat e futbollit përfitojnë financiarisht edhe për zhvillim të futbollistit si në rastin e Milot Rashicës.
Trajneri Bekim Isufi thotë se Kosova duhet të jetë e kënaqur me shitjen e 3-4 lojtarëve në vit.
“Unë mendoj se në Kosovë nuk mungon potenciali, por nuk duhet të mendojnë të na shiten dhjetë lojtarë. Mjafton të shiten 3-4 lojtarë brenda vitit në Evropë, mund të themi se kemi bërë punë të mirë. Por problemi është se po abuzohet shumë në shkolla të futbollit. Liga e Kosovës është më e mira në rajon. Nga ligat e rajonit çalojmë vetëm në infrastrukturë”, ka thënë Isufi.
Trajneri Fahredin Duraku thotë se të rinjve duhet t’u jepet më shumë hapësirë.
“Duhet të investohet në akademi. Duhet të kthejnë sytë kah lojtarë të rinj. Me dhënien e rëndësisë në gjeneratat e reja, shpenzimet ulen dhe mundësitë që të shiten lojtarët nga Kosova janë më të mëdha. Pra, klubet ulin shpenzimet dhe kanë mundësinë e përfitimit nga shitja”, ka thënë Duraku.
Në Kosovë së fundi ka nisur të praktikohet edhe pagesa për transferimin e lojtarit nga një klub në tjetrin.