Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar thirrjen e dëshmitarëve në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të martën ishte planifikuar të dëshmonte edhe dëshmitari i fundit, mirëpo u tha se ai nuk ishte në gjendje të vinte dhe pas kësaj, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III vendosi që gjykimi në rast të shtyhet për kohë të pacaktuar.
“Seanca e radhës nuk do të jetë 15 prill apo jo? Sepse disa persona nuk do të jenë të pranishëm. Kështu që do ta bëjmë pas datës 15 prill. Do të bëjmë planifikimin përkatës dhe do t’ju njoftojmë. Më pas ne do i marrim hapat përkatës duke prezumuar që ju e keni përfunduar lëndën tuaj deri në atë pikë”, ka thënë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Gazeta Enigma.
Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, planifikohej të dëshmonte dëshmitari i 126-të. Të katër akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm. /Gazeta Enigma