Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka përfunduar dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin e gjykimit ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Gjatë deklarimit në Speciale ai ka thënë se Policia e Kosovës nuk është kontaktuar asnjëherë nga Dhomat e specializuara në Hagë lidhur me aksionet e arrestimeve në Kosovë.
I pyetur nga prokuroria se a është e saktë që informacionin e parë Policia e Kosovës e mori nga konferencat për shtyp, Qalaj tha se po është e vërtetë.
Në vazhdim, ai u pyet edhe lidhur me atë se a janë lajmëruar nga OVL-UÇK për dokumentet që kanë mbërritur në zyret e tyre.
“Policia e Kosovës është njoftuar nga mediat dhe nuk ka pasur kontakt nga askush. Policia e Kosovës që nga rasti i parë i rrjedhjes së dokumente, nuk është marr më me këtë çështje”, ka thënë ai.
Qalaj pranoi se kanë pranuar një kërkesë nga shoqatat e dala nga lufta në të cilën kanë kërkuar që Policia e Kosovës të caktojë dy zyrtarë që do t’i ruanin ata pas rrjedhjes së dokumenteve të Speciales.
“Policia e Kosovës ka marr një kërkesë me shkrim nga shoqatat e dala nga lufta, me 6 tetor në të cilën është kërkuar që Policia e Kosovës të caktojë dy zyrtarë policor, të qëndrojnë afër zyrave të shoqatave të luftës, pasi sipas kërkesës së zyrtarëve të tyre, nga ngjarja që ka ndodhur me sjelljen e dokumenteve, këto shoqata e kanë ndjerë veten të kërcënuar dhe janë frikësuar se mund të ndodhë ndonjë incident”, tha ai në Speciale.