Përfundon Samiti i Klimës, merret vendimi historik për kompensimin e vendeve të varfëra

Përfundon Samiti i Klimës, merret vendimi historik për kompensimin e vendeve të varfëra

Në orët e para të së dielës u mbyll me një vendim historik për dëmshpërblimin e vendeve të varfra konferenca e 27 e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike e cila u zhvillua në qytetin bregdetar të Sharm el-Sheikh në Egjipt.

Vendimi parashikon kompesimin e të gjitha vendeve te varfra të cilat vuajnë nga ngjarje ekstreme të motit të tilla si thatësira, përmbytjet dhe valët e të nxehtit. Këto fenomene janë përkeqësuar nga emetimi i gazrave të dëmshme të tilla si dioksidi i karbonit nga vendet e industrializuara, shkruan BBC.

Ndërkohë që vendet e varfra, megjithëse luajnë një rol të vogël në ndotjen e atmosferës, e cila ndikon më pas në ngrohjen globale, vuajnë pasojat më të rënda nga ndryshimet klimatike.

Ato kishin bërë presion për 30 vjet që vendet e pasura të ndihmonin të paguanin faturën për “humbjet dhe dëmet” e shkaktuara nga ngrohja globale.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres e mirëpriti vendimin me anë të një postimi në Twitter, por tha që akoma më shumë duhej bërë për të reduktuar në mënyrë drastike emetimet e gazrave të dëmshëm duke filluar që nga sot. Ai i kërkoi të gjitha vendeve në botë që të mos e ngadalësonin luftën e tyre ndaj ndryshimeve klimatike.

‘Ne mundemi dhe duhet ta fitojmë këtë betejë që ka të bëjë me jetët tona’, shtoi ai.

Konferenca e 27 për ndryshimet klimatike e Kombeve të Bashkuara u mbajt nga data 6 nëntor deri në datën 20 nëntor në Egjipt. Në të morën pjesë rreth 120 kryetarë shtetesh si dhe kishte 35 mijë pjesëmarrës.

Related Articles