Përgatitjet ushtarake në Serbi, Ultas: Ne mbikëqyrim çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë e Kosovës

Përgatitjet ushtarake në Serbi, Ultas: Ne mbikëqyrim çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë e Kosovës

Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, e vlerëson të qetë por ende të brishtë situatën e sigurisë pas tensioneve të vitit të kaluar në veri të Kosovës.

“Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne jemi duke ndjekur nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, duke përfshirë veriun e Kosovës dhe posaçërisht në disa komuna atje, përmes një pranie të dukshme dhe fleksibile, që përfshin patrullime të rregullta dhe angazhim me komunitetet lokale. Pas rritjes së tensioneve vitin e kaluar, NATO-ja ka vendosur qindra trupa shtesë. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe zonën përgjatë vijës administrative të kufirit”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Ulutas tha se KFOR-i po vazhdon përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim ndërsa mbetet i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide që mund të ndodhë.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi sfidave të mundshme, duke përshtatur praninë tonë sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë. Ne vazhdojmë të veprojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, me të cilët ne bashkëpunojmë dhe bashkërendohemi në mënyrë të rregullt”.

Ai tha se sulmi i 29 majit mbi trupat e KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri ishin të paprovokuara dhe të papranueshme, duke bërë thirrje që autorët e një dhune të tillë të mbahen përgjegjës.

“Para së gjithash, sulmi i 29 majit mbi trupat e KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri të Kosovës kundër Policisë së Kosovës ishin të paprovokuara dhe të papranueshme. Autorët e një dhune të tillë duhet të mbahen përgjegjës. Ne u kemi kërkuar autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që të kryejnë hetimet e nevojshme ligjore për të vërtetuar faktet dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë”.

Ultas i ka komentuar edhe përgatitjet ushtarake që Serbia ka bërë kohëve të fundit.

“Ne mbikëqyrim nga afër çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe qëndrueshmërinë rajonale. Unë dhe të gjitha trupat që shërbejnë nën misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, jemi të përqendruar të kryejnë mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara, të sigurojmë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide që mund të ndodhë, duke përshtatur praninë tonë sipas nevojës dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, të cilët janë reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë”, tha Ultas.

Related Articles