Përkujtohen të rënët e familjes Rama, Konjufca: Ata janë vazhdimësi e sakrificës së familjes Jashari

Përkujtohen të rënët e familjes Rama, Konjufca: Ata janë vazhdimësi e sakrificës së familjes Jashari

Dhjetë dëshmorët e familjes Rama janë përkujtuar në një tubim në Obiliq, ku u tha se sakrifica e tyre ishte drejtpërdrejt vazhdimësi dhe frymëzim i sakrificës së familjes Jashari.

Dëshmorët e familjes Rama, në mesin e tyre edhe fëmijë, janë vrarë para 23 viteve nga forcat serbe me rastin e fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë.

Për t’i nderuar të rënët e familjes Rama, sot u vendosën kurora lulesh pranë lapidarit në këtë qytet.

Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, rënien e anëtarëve të kësaj familjeje, përveç që e konsideroi si një ndër sakrificat më të larta për atdheun, theksoi se kjo ka qenë edhe një frymëzim i sakrificës së familjes Jashari.

“Kjo sakrificë, është sakrifica më e lartë që njeriu mund ta mendojë si flijim për atdhe. Dhe unë e konsiderojë sakrificën e familjes Rama drejtpërdrejt si vazhdimësi dhe si frymëzim i sakrificës së familjes Jashari nga Prekazi, për arsye se duke u frymëzuar prej shembullit të tyre është mënyra më e mirë se si të vdiset e si luftohet për ta mbrojtur lirinë dhe për ta mbrojtur atdheun”, është shprehur Konjufca.

Konjofca shtoi se sakrifica e familjes Rama në luftën për liri nuk ishte rënie momentale, por ajo garanton themelet e forta të shtetit.

“Kjo është një familje e madhe e Kosovës e cila u sakrifikua duke luftuar bashkë, burra dhe gra për lirinë e fëmijëve tonë, për lirinë e brezave që kanë ardhur. Sakrifica e dëshmorëve kurrë nuk është një rënie momentale e jetës”.

“Rënia e dëshmorëve na i garanton themelet e shtetit dhe të lirisë tonë, dhe na frymëzon e na jep shembull që edhe në të ardhmen kurdo e sa herë që është në rrezik atdheu, na tregon se s’di duhet të veprojmë saktë si mbrohet liria dhe si për liri nuk kursehet asgjë duke përfshirë edhe jetën e njeriut”, tha Konjufca, shkruan KP, përcjell Klankosova.tv

Ndërsa, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi me këtë rast tha se familja Rama jo vetëm se ishte çerdhe e ilegalistëve por edhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Familja Rama jo vetëm atëherë por edhe gjatë gjithë periudhave kohore ishte një çerdhe e ilegalistëve fillimisht e pastaj edhe një çerdhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Andaj e dimë të gjithë që kjo ditë sa është lavdi është edhe dhimbje për familjen Rama, për bashkëveprimtarët”, tha ai.

Më 27 mars 1999, kanë rënë Ismet Halil Rama (1945), me dy bijt e tij, Agron Ismet Rama (1969), dhe Albert Ismet Rama (1983). Faruk Izet Rama (1976). Xhevat Qamil Rama (1948), me dy bijat e tij, Shqipe Xhevat Rama (1980) dhe Syzana Xhevat Rama (1974). Bejtush Halil Rama (1959). Xheladin Qamil Rama (1954), me bashkëshorten e tij, Hamide Rama (1956). / Gazeta Enigma.

Related Articles