Lista e pacientëve në Kliniken e Kirurgjisë Plastike ekziston për shkak se i japin prioritet pacientëve me djegie, numri i të cilëve është i madh.
E derisa në Kosovë nuk ka një qendër të veçantë për pacientët me djegie, rastet e tilla trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, edhe pse kjo qendër është specialistike për rastet estetike.
Ka më shumë vite që bëhen kërkesa për një qendër të djegies, por ajo edhe nuk është paraparë të ndërtohet. Në Klinikën e Kirurgjisë Plastike thonë se duan që edhe vendi ynë ta ketë një qendër për trajtimin e rasteve e të tilla, ashtu siç edhe e kanë vendet tjera evropiane, por në Ministrisë e Shëndetësisë, shpresojnë që së shpejti të kenë një rivlerësim të nevojave aktuale.
Drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi tha për KosovaPress, se numri i djegieve është shumë i madh, gjë për të cilën po shkakton tollovi në raste tjera për shkak se pacientët me djegie qëndrojnë të hospitalizuar me muaj të tërë.
Zatriqi ka thënë se 50% e rasteve janë me djegie, andaj një qendër e specializuar për djegie, është bërë domosdoshme. Ajo tha se sikur çdo shtet që ka qendrën për djegie, të njëjtën duhet të kenë edhe pacientët në Kosovë.
Drejtoresha e Kirurgjisë Plastike, Zatriqi shtoi se tashmë e 20 vite bëjnë kërkesë për një qendër për djegie në Ministrinë e Shëndetësisë, por ende nuk është ndërmarrë diçka.
Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra tha se kostoja e trajtimit jashtë vendit për pacientët me djegie do të ishte më efektive nëse trajtohen në Kosovë.
Kodra shtoi se përkundër kapaciteteve që Kosova nuk mund të ketë për një qendër të tillë, pacientëve duhet t’i sigurohet kujdesi shëndetësor në përputhje me nevojat që i kanë, çofshin për djegie apo për probleme tjera.