Ceremonia e Topit të Artë do të kthehet sonte në mbrëmje pas një viti mungesë si pasojë e pandemisë COVID-19.
Pas më shumë se një muaji garë të ethshme (me votime), sot do të mësohet fituesi i edicionit të 65-të të trofeut më prestigjioz individual për çdo futbollist.
Që nga viti 1956 kur “France Football” organizoi për herë të parë këtë çmim, deri më tani numërohen 64 edicione, mes të cilëve dhe 6 edicione kur kjo ceremoni organizohej në bashkëpunim mes “France Football” dhe FIFA-s në atë që njihej për ato vite si “Lojtari i Vitit”. Por në vitin 2016, formati origjinal u kthye në fuqi dhe për më shumë në qytetin ku lindi, Paris.
Lojtari më i mirë në botë për vitin 2021, përveç çmimit të përhershëm Ballon d’Or, do të ketë edhe një dhuratë speciale.
Brendi i njohur, Purnell, ka prodhuar një orë të veçantë, vetëm një, unike në botë, dhe atë orë do ta marrë fituesi i Topit të Artë sonte.
Lionel Messi shihet si favoriti për të rrëmbyer çmimin e madh individual, e që do të ishte hera e shtatë për të.
Në garë të ngushtë, argjentinasi është me Robert Lewandowskin e Bayern Munichut, Jorginhon e Chelseat dhe Karim Benzeman e Real Madridit.