Petkoviq: Deeskalimi ndodh vetëm nëse plotësisht tërhiqet Policia nga veriu dhe themelohet Asociacioni

Petkoviq: Deeskalimi ndodh vetëm nëse plotësisht tërhiqet Policia nga veriu dhe themelohet Asociacioni

Kryenegociatori serb në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se takimi i fundit “teknik” në Bruksel ka treguar dhe konfirmuar se “Prishtina nuk është e gatshme” të shkojë në drejtim të deeskalimit.

“Mënyra e tyre është të flasin për këtë dhe kur duhet të zbatohet nuk duan marrëveshje e as takim trepalësh. Ne ishim të gatshëm të takohemi me delegacionin e Prishtinës, të kemi bisedime të drejtpërdrejta sepse për këtë po shkojmë në Bruksel, për të diskutuar për kushtet që duhet të mundësojnë një jetë më të mirë si për serbët ashtu edhe për shqiptarët”, ka thënë Petkoviq për televizionin e regjimit serb “TV Pink”.

Si zakonisht, nuk e harron detyrën e tij t’i përsërisë fjalët e liderit të tij suprem duke pretenduar se, “fakti që presidenti ynë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se nuk sheh hapësirë ​​për de-eskalim, sepse Prishtina nuk e dëshiron, tregon qartë se Prishtina vetëm pretendon se po i interesojnë negociatat”.

“Duhet të kishim diskutuar në një format trepalësh për hir të deeskalimit, sepse çfarë është më e rëndësishme sot kur është fjala për Kosovën se de-eskalimi në veri, ku ende gjendet Policia dhe vazhdon keqtrajtimi i serbëve në veri, dhe as situata në jug nuk është e shkëlqyer – as në Shtërpce, Graçanicë e Anamoravë. Më e rëndësishme në drejtim të zgjidhjes së krizës në Kosovë është tërheqja e kryetarëve të komunave që nuk kanë legjitimitet, tërheqja e plotë e policëve dhe formimi i Asociacionit”, ka përsëritur Petkoviq kushtet e Vuçiqit, i cili vetëm i përsëritë ato pa marrë parasysh planin e BE-së dhe SHBA për de-eskalim të menjëhershëm.

Related Articles