Drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq tha se ai dhe ekipi i tij nesër do të udhëtojë për në Bruksel, ku të enjten pritet një raund i ri, i i dialogut vendimin e BQK-së për dinarin.
“Po shkojmë me shpresën se do të gjejmë një zgjidhje për dinarin, edhe pse nuk jam optimist, duke pasur parasysh mosgatishmërinë e Prishtinës për të kërkuar zgjidhje përmes kompromisit”, tha Petkoviq për Informer TV.
Edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të pres kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq për një raund tjetër bisedimesh për të gjetur zgjidhje rreth vendimit të BQK-së për dinarin.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai theksoi se pret që palët të shkojnë në takimin në Bruksel me mendje të hapur.