Laws: Viktimat duan që Pjetër Shala të dënohet

Laws: Viktimat duan që Pjetër Shala të dënohet

Simon Laws, mbrojtës i viktimave në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ka thënë se të mbrojturit e tij duan që i akuzuari të dënohet.

Ai tha se viktimat e njohin Shalën shumë mirë pasi sipas tij ai është njëri prej personave që është përgjegjës për dëmin e shkaktuar ndaj tyre.

“Viktimat pjesëmarrëse në këtë çështje kanë këmbëngulur dhe ata kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë gjykim. Në mënyra individuale, ata janë dëmtuar nga ajo se çfarë ka ndodhur në Kukës dhe dëshira e tyre mbi të gjitha është që ata të shohin që drejtësia të vendoset në vend. Në këtë çështje, kjo do të thotë se i akuzuari duhet të dënohet, të cilin ata e njohin shumë mirë, pasi ai është njëri prej personave që është përgjegjës për dëmin e shkaktuar ndaj tyre”, tha ai.

Po ashtu, Laws tha se disa prej të ndaluarve në Kukës kanë vdekur përpara se të fillonte gjykimin ndaj Shalës.

“Disa prej të ndaluarve në Kukës kanë vdekur përpara se kjo gjykatë kishte mundësi t’iu ofronte një mundësi për gjykimin e Pjetër Shalës, megjithatë zërat e tyre janë dëgjuar në formën e dëshmive që ata kanë lënë pas tyre. Fatmirësisht, të tjerët janë ende gjallë. Ata kanë ardhur këtu që ata të ndajnë përvojën e tyre me ne”, tha mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

Ndryshe, deklarata përmbyllëse e mbrojtjes së viktimave sipas avokatit Laws do të zgjasë më shumë se një orë.

 Laws: Disa njerëz duan të hiqen sikur s’ka ndodhur asgjë në Kukës, këmbëngulja e viktimave bën që drejtësia të vihet në vend

Në deklaratën përmbyllëse në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, mbrojtësi i viktimave Simon Laws ka thënë se disa njerëz duke përfshirë edhe dëshmitarët e mbrojtjes, kanë dashur të shtiren sikur nuk ka ndodhur asnjë krim në Kukës.

“Disa njerëz, duke përfshirë këtu edhe dëshmitarë të cilët janë thirrur nga mbrojtja duan të hiqen sikur nuk ka ndodhë asnjë krim atje, por fatkeqësisht kjo është një gënjeshtër. Atje janë kryer krime kundër njerëzve të cilët nuk e kanë pasur asnjëherë mundësinë që të dalin përpara një gjyqi si ky. Nuk kanë pasur asnjëherë mundësinë që t’i shikojnë provat kundër tyre dhe aq më pak t’i kundërshtojnë ato, por në fakt janë mbajtur në vende ndalimi në mënyrë arbitrare”, tha Laws.

Ai tha se viktimat kanë këmbëngulur në këtë çështje dhe sipas tij nëse kjo ndodh, bën që drejtësia të vihet në vend, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka pasur shumë viktima që kanë folur. Shumë prej tyre kanë pasur fuqinë dhe guximin për të na treguar se çfarë iu ka ndodhur sepse ekzistenca e fabrikës së Metalit në Kukës përtej shtetit të së drejtës ka qenë vetëm e përkohshme. Njëra prej gjërave që është demostruar në këtë çështje është që viktimat janë përgatitur dhe në qoftë se viktimat përgatiten që të këmbëngulin drejtësia mund të vihet në vend edhe pas shumë vitesh. Viktimat në këtë çështje kanë këmbëngulur dhe ata kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë gjykim”, tha Laws.

Related Articles