Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka quajtur ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, “lobist të shqiptarëve”, pasi ai akuzoi Serbinë se ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit me reagimin ndaj njohjes që Kenia ia bëri shtetit të Kosovës.
“Përfaqësuesi gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka vepruar qe një kohë të gjatë si lobist i shqiptarëve ose si ministër i të ashtuquajturës qeveri të Albin Kurti dhe jo si përfaqësues i një shteti të Bashkimit Evropian, që do të duhej të kishte të paktën qasje më të balancuar në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sidomos kur bëhet fjalë për respektimin e marrëveshjeve të arritura”, ka shkruar Petkoviq në një deklaratë në uebfaqen e zyrës së tij.
Ai ka akuzuar Rohden se ka qëndruar “i heshtur ndaj lëvizjeve eskaluese të Kurtit dhe shkeljeve të Marrëveshjes së Brukselit”.
Një ditë më parë, Rohde në “Interaktiv” të KTV-së kritikoi qasjen e Serbisë pas njohjes që Kosova mori nga Kenia.
“Është vërtet e mirëseardhur që Kenia e njohu Kosovën. Shpresoj që shumë vende të tjera ta bëjnë të njëjtën gjë. Dhe sigurisht që reagimi i Serbisë, është shkelje e rëndë e nenit të katërt të marrëveshjeve të Brukselit për të mos bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, u shpreh Rohde.
E Rohde tek ka folur për veriun e Kosovës ka thënë se Gjermania mbështet sovranitetin e plotë të Kosovës, por ka thënë se e kritikojnë mënyrën e veprimit të Qeverisë së Kosovës atje, duke cilësuar “veprime të njëanshme” mbylljen e strukturave paralele.