Disa shqiptarë kanë rënë në pranga në Itali, Gjermani dhe Belgjikë.
Ata dyshohet se ishin të përfshirë në një trafikim të madh të drogës në Evropë, në bashkëpunim me klanin e njohur mafioz “Ndrangheta”.
Raportohet se njëri nga të dyshuarit e kishte kthyer restorantin e tij në Frankfurt të Gjermanisë, bazë të familjes mafioze kalabreze.
Siç shkruajnë mediat italiane, aty planifikoheshin të kryheshin pazaret e kokainës.
Policia e Gjermanisë e kishte kryer përgjimin e një takimi që si cak kishte blerjen e 50 kilogramëve kokainë.
Sasia e drogës kishte mbërritur në Gjermani nga Amerika e Jugut, dhe planifikohej që të shitej në Itali.
Siç bëhet e ditur nga 25 urdhër-arrestet e lëshuara me urdhër të Prokurorisë italiane, pjesa më e madhe janë shqiptarë me banim në Belgjikë.