Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ndarë detaje lidhur me pjesëmarrjen e Gërvallës në Forumin e Bledit.
Ata kanë thënë se ministrja Gërvalla atje do të paraqesë përkushtimin e Republikës së Kosovës për të luajtur një rol aktiv dhe konstruktiv në avancimin e strategjive rajonale dhe globale për paqe, siguri dhe stabilitet.
“Ministrja Gërvalla gjatë paneleve dhe takimeve do të theksojë përparimin që Kosova ka arritur në përmbushjen e kushteve në procesin e integrimeve euroatlantike, reformat e thella në sundimin e ligjit, avancimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik. Ministrja Gërvalla do të nënvizojë gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit multilateral për të adresuar dhe tejkaluar sfidat globale, duke pozicionuar Kosovën si një partner të besueshëm të shteteve demokratike dhe të përkushtuar në skenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
“Në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Forumin Strategjik të Bledit, Ministrja Gërvalla do të zhvillojë takime me ministrat e jashtëm të vendeve pjesëmarrëse, përfaqësues të institucioneve globale, shoqëri civile dhe medie, duke thelluar marrëdhëniet diplomatike dhe duke promovuar interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.
Gërvalla, ka udhëtuar në Slloveni për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, që mbahet më 2 dhe 3 shtator, me ftesë të zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon. /Gazeta Enigma