Një sherr mes dy personave në Durrës ka përfunduar në plagosjen e njërit prej tyre.
Ngjarja ka ndodhur në Hamallaj, ndërkohë që Policia e Shqipërisë bëjnë me dije se dyshohet që për motive të dobëta shtetasi A.B., ka goditur me thikë një 19 vjeçar.
Ky i fundit është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë që autori është larguar nga vend i ngjarjes.
“Më datë 24.07.2021, në orën 16:20, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta shtetasi A. B., ka lënduar me mjet prerës (thikë), shtetasin S. G., 19 vjeç, banues në Hamallaj, Durrës, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës për kapjen e autorit të dyshuar, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./TCH/