Dy lojtarë të Manchester United janë ‘të vendosur’ të huazohen nga klubi në afatin kalimtar të janarit si pjesë e ndryshimeve të para në skuadrën e Ruben Amorim.
United aktualisht ndodhet në vendin e 14 -të në Ligën Premier, vetëm shtatë pikë larg zonës së rënies pas 19 ndeshjeve.
Të hënën, ata humben 2-0 kundër Newcastle United në Old Trafford, duke e çuar rekordin e Ruben Amorim si trajner i United në pesë humbje në Ligën Premier në vetëm tetë ndeshje të ligës që kur mori drejtimin e klubit në nëntor 2024.
Natyrisht, Amorim, 39 vjeç, ende nuk ka nënshkruar me asnjë lojtar të vetëm, pasi afati i transferimeve u hap dy ditë më parë. Por, të mërkurën, atij iu dha një goditje e madhe.
Sipas Samuel Luckhurst të Manchester Evening News, për shkak të 206.06 milionë funteve të shpenzuara për pesë rekrutët e verës – Matthijs de Ligt, Noussair Mazraoui, Joshua Zirkzee, Manuel Ugarte dhe Leny Yoro – klubi mund të duhet të “shes për të blerë” në afatin kalimtar të janarit.
Klubi mund të mos jetë në gjendje të shpenzojë paratë që do të dëshironte për shkak të rregulloreve të PSR-së dhe të lojës së drejtë financiare.
“Ne nuk e kemi atë mundësi për të bërë nënshkrime në janar nëse nuk i largojmë disa lojtarë. Ju e dini situatën më mirë se unë. Nuk është se po arrij këtu dhe e di se mund të shpenzoj para duke ndryshuar ekipin”, ka thënë Amorim të hënën.
Megjithatë, mund të ketë ende disa lëvizje në frontin e transferimit. Sipas Manchester World, United po i jep përparësi huazimeve për dy yje të akademisë, shkruan Telegrafi.
Djajtë e Kuq krenohen që u lejojnë të diplomuarve të akademisë shanse në formacionin e ekipit të parë dhe kanë përfshirë një lojtar vendas në çdo ndeshje që nga viti 1937, një traditë e cila u përqafua nga menaxherët legjendar Sir Matt Busby dhe Sir Alex Ferguson.
Manchester World raporton se si Harry Amass ashtu edhe Dan Gore mund të huazohen gjatë afatit kalimtar të janarit.
Amass, 17 vjeç, është emëruar si pjesë e skuadrës së parë në pesë raste, por nuk ka arritur të bëjë një paraqitje konkurruese për klubin.
Gore, 20 vjeç, ka kaluar një kohë të vështirë me lëndime vitet e fundit, të cilat e kanë penguar zhvillimin e tij.
Ai ka luajtur dy herë për ekipin e parë, kundër Crystal Palace në Carabao Cup në 2023 dhe kundër Aston Villa në Premier League më 26 dhjetor 2023.
Të dy lojtarët ka të ngjarë të shohin lëvizje huazimi në klubet e Championship.