Rastet e kërcënimeve në Kosovë, janë thuajse të përditshme. Shpesh herë ato ndodhin për arsye banale, por për shkak të rrezikut që u kanoset, qytetarët detyrohen të kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i zgjidhur problemet.
Me një situatë të tillë është përballur dje pasdite një person në Kaçanik.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë zbardhur detaje nga dëshmia e 21-vjeçarit, i cili është ankuar se derisa po shkonte te shtëpia e fqinjit të tij për të huazuar një mjet pune, ka hasur në të dyshuarin. Ky i fundit dyshohet t’i jetë drejtuar viktimës me fjalë kërcënuese, çka kanë ngjallur frikë e shqetësim tek i riu.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një person i cili është nën hetime edhe për një rast tjetër, ku dyshohet për vrasje në tentativë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshaurit të iniciohet rasti për veprën penale ‘Kanosje’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.