Policia e Kosovës të hënën ka njoftuar se ka kapur në Prishtinë, Korab Gashin një nga të dyshuarit për grabitjen në argjendarinë “Diakos”, në Suharekë, i cili ishte arratisur në nëntor të vitit të kaluar, raporton Gazeta Enigma.
“Policia e Kosovës sot më 1 korrik 2024 gjatë një operacioni të organizuar nga njësitet relevante të saj ka arrestuar në Prishtinë personin e dyshuar me iniciale (K.G.), i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin e Grabitjes së argjendarisë në Suharekë. I apostrofuari me iniciale (K.G.) ndodhej në arrati që nga muaji nëntor i vitit 2023 dhe tani më është arrestuar nga autoritetet policore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Të dyshuarit e tjerë që gjenden prapa grilave janë Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi, të dyshuar për veprën penale “Grabitje”, kurse Trim Baraku për “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkaq, Dukagjin Gashi kishte mbetur i vrarë gjatë një aksioni të policisë për t’i arrestuar të dyshuarit.
Sipas të dhënave të para vlera e arit që u grabit në atë argjendari ishte rreth 250 mijë euro.
Ndryshe, Policia e Kosovës me 13 dhjetor të vitit të kaluar ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për kapjen e të dyshuarit për grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë që ndodhi më 22 nëntor i cili ende është në arrati.
Personi i cili po kërkohet nga policia është Korab Zeqir Gashi, i lindur më 01.03.1982 në Prishtinë.
“Policia e Kosovës është duke hetuar rastin e Grabitjes së Armatosur dhe Plagosjes së Zyrtarit Policor, ndodhur me datë 22.11.2023 në argjendarin në Suharekë. Lidhur më këtë rast, një person i identifikuar ende është në arrati dhe ndaj të njëjtit është lëshuar urdhër arresti nga organet e drejtësisë. Personi i cili po kërkohet është Korab Zeqir Gashi, i lindur me 01.03.1982 në Prishtinë me nr personal 1014599319. Për identifikimin dhe arrestimin e tij kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë atyre që kanë informata të rëndësishme”, thuhet në njoftimin e policisë.