“Gjuetia” e SBU-së ukrainase mbi spiunët rusë, që mbledhin informacione për llogari të Kremlinit dhe përgatisin sulme, është finalizuar me një tjetër të arrestuar.
Sipas një njoftimit nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, pas dy grave të arrestuara javën e fundit, në Kiev është vënë po ashtu në pranga një agjent rus.
SBU sqaron se ai është vënë në pranga nën dyshimin se kishte përgatitur një sulm me raketa në Kiev.
I dyshuari 23-vjeçar punonte për drejtorinë kryesore të forcave të armatosura të Rusisë dhe kishte kërkuar vendndodhjet e forcave të mbrojtjes të Ukrainës në rajonin e kryeqytetit.
Sipas hetuesve ukrainas, i riu kishte shfaqur interes të dyshimtë edhe për bazat e mirëmbajtjes ushtarake të Ukrainës dhe mblidhte informacione për nënstacionet e energjisë në Kiev.
Ai është kapur në flagrancë duke filmuar një bazë ushtarake dhe duke ngarkuar koordinatat e saj në GPS, në një hartë elektronike.
Sipas SBU-së ai jeton në Odesa dhe paguhej nga inteligjenca ushtarake ruse. 23-vjeçarit iu gjet një laptop dhe celular me prova të aktivitetit të tij kundër Ukrainës gjatë kontrollit në shtëpi.
Zyrtarët thanë se i dyshuari është në paraburgim dhe rrezikon një dënim me burgim të përjetshëm.