Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në një laborator në Podujevë, të cilët kanë lëshuar teste të COVID-19 të falsifikuara.
Sipas komunikatës për medie, ku kanë dhënë edhe detaje, thuhet se njëri i arrestuar është pronari i laboratorit, B.S., viti i lindjes 1952, mashkull kosovar ndërsa personi i dytë është punëtorja e këtij laboratori Xh. Sh., viti i lindjes 1988, femër kosovare.
“Hetimet paraprake dhe operacioni policor i sotëm vije pas dyshimeve se në këtë laborator lëshoheshin teste të falsifikuara për Covid 19. Hetuesit policorë, gjatë realizimit të këtij operacioni policor kanë arritur të kapin në flagrancë duke lëshuar teste të falsifikuara pronarin e laboratorit, të dyshuarin B.S., viti i lindjes 1952, mashkull kosovar dhe punëtoren e këtij laboratori Xh. Sh., viti i lindjes 1988, femër kosovare”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, zyrtarët policorë (hetuesit dhe forenzika) edhe në këto momente janë duke vazhduar kontrollin në laborator së bashku me Inspektoratin Shëndetësor ku janë sekuestruar dëshmi të ndryshme të cilat do të shërbejnë si provë në procedurën e mëtutjeshme penale, po ashtu nga Inspektorati Shëndetësor do të merren masa tjera administrative në kuadër të kompetencave të tyre.
“Ndaj dy personave të dyshuar B.S. dhe Xh.Sh., nga prokurori kujdestar i PTH-Prishtinë është lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh lidhur me dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje ‘falsifikim i dokumenteve’”, thuhet në komunikatë.