Data 1 prill e këtij viti ishte fatale për Zana Gjevukajn nga Peja. 26-vjeçarja u godit nga një veturë në fshatin Qyshk të Pejës. Për më shumë se një muaj, qëndroi në gjendje të rëndë shëndetësore në spital, e më pas ndërroi jetë. I dyshuari që e shkaktoi aksidentin ishte A.K, zyrtar policor.
Dy muaj pas ngjarjes tragjike, familja Gjevukaj me një deklaratë dërguar Nacionales, kanë shprehur shqetësimin e tyre për mënyrën se si rasti po trajtohet në institucionet e drejtësisë.
Shkaktari i aksidentit, pra zyrtari policor, nuk ka qëndruar asnjë ditë në paraburgim. Prej prillit, ai, me kërkesë të Prokurorisë, është në arrest shtëpiak. Edhe pas vdekjes së Zana Gjevukajt.
Në video, shihet se Zana Gjevukaj po kalonte rrugën në zebra. Njëra veturë ndalet për t’i dhënë përparësi Zanës. Në momentin që ajo niset për ta kaluar rrugën, vetura e drejtuar nga polici e godet me fuqi të madhe duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.
Në zonën ku ndodhi aksidenti, shpejtësia e lejuar është 60 në orë, përderisa shkaktari i aksidentit po voziste me shpejtësi gati 90km/h.
Për më shumë se 1 muaj Zana Gjevukaj qëndroi në gjendje të rëndë, dhe më pas ndërroi jetë, pasi nuk u mbijetoi plagëve. Prej atëherë, deri më sot, i dyshuari që e shkaktoi aksidentin nuk ka qëndruar asnjë ditë në paraburgim.
Kërkesa e parë që Prokuroria në Pejë e bëri për këtë rast, ishte për caktimin e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit. Aty thuhet se Zana ka pësuar lëndime të rënda, dhe se ngjarja ka ndodhur nga pakujdesia. Gjykata e aprovoi kërkesën, dhe polici A.K u dërgua në arrest shtëpiak.
E me një tjetër vendim, Gjykata Themelore në Pejë e aprovoi në fund të prillit, kërkesën që të dyshuarit t’i vazhdohet arresti shtëpiak. Pra, Prokuroria nuk kërkoi ndryshimin e masës. Gjykata Themelore në Pejë, ia aprovoi kërkesën, dhe të dyshuarit ia vazhdoi arrestin shtëpiak. Situata nuk ndryshoi as pas vdekjes së Zana Gjevukajt. Prokuroria Themelore në Pejë nuk kërkoi ndryshimin e masës, dhe i dyshuari po vazhdon qëndrimin në arrest shtëpiak.
“Në kohën e ndodhjes së aksidentit ka pasur të reshura, kufizimi i shpejtësisë është 60km/h. Këmbësori po kalonte në rrugën nga e majta në të djathtë. Automjeti A në momentin e kontaktit me këmbësoren ka lëvizur me shpejtësi prej 89.31km/h. Për shpetësi të lëvizjes prej 60km/h drejtuesi i automjetet ka mundur të shmangë kontaktin me këmbësoren”, thuhet në ekspertizë.
E më 11 qershor, është ngritur aktakuza nga Prokuroria Themelore në Pejë. Vepra penale është “Rrezikim i trafikut publik”. Aty përshkruhet komplet ngjarja, dhe në arsyetim, theksohet se i akuzuari nga pakujdesia, e godet me veturë Zana Gjevukajn. I akuzuari, pra polici me inicialet A.K, e ka pranuar fajësinë, dhe kjo përmendet si rrethanë lehtësuese nga Prokuroria në Pejë. Përderisa, rrethana rënduese, sipas Prokurorisë, nuk ka.
Në aktakuzë, paraqitet deklarata e të akuzuarit, i cili shpreh keqardhje për ngjarjen, duke shtuar se çdo ditë ka kaluar nëpër atë rrugë, dhe kurrë nuk i ka ndodhur diçka e tillë, dhe kurrë nuk ka pasur asnjë problem me ligjin.
“Unë e ndjej veten fajtor, më vije shumë keq për rastin. I shprehi ngushëllime familjes së të ndjerës dhe kujtdo që është prekur nga ngjarja, sepse më parë do të gjendesha unë në vendin e saj, se sa kjo që ka ndodhur. Jam zyrtar policor, asnjëherë në jetën time nuk kam rënë ndesh me ligjin. As sot nuk e kuptoj si ka ndodhur, për shkak se jam nga fshati Zahaq dhe atë rrugë e frekuentoj çdo ditë, por asnjëherë nuk më ka ndodhur një gjë e tillë”, citohet të ketë thënë zyrtari policor në aktakuzë.
Trajtimi nga institucionet e drejtësisë e ka shqetësuar familjen e të ndjerës. Në një deklaratë dërguar Nacionales, familja ka shprehur zhgënjim.
“Si familje e viktimës, jemi thellësisht të zhgënjyer nga kjo qasje. Arresti shtëpiak për një rast me pasojë vdekje është i papranueshëm. Po aq shqetësuese është edhe aktakuza e ngritur, e cila nuk pasqyron seriozitetin e rastit dhe nuk përfshin asnjë nga rrethanat rënduese. Zana u godit në vijat e bardha, nga një zyrtar policor me shpejtësi të tejkaluar dhe pa asnjë frenim, siç vërteton ekspertiza. Një veturë tjetër kishte ndalur për t’i dhënë përparësi, që tregon se Zana ishte e dukshme dhe me përparësi të plotë. Mospërfshirja e këtyre fakteve në aktakuzë e bën trajtimin institucional edhe më shqetësues. Jemi të bindur se nëse ky rast nuk do të përfshinte një zyrtar të policisë, drejtësia do të kishte vepruar ndryshe”, thuhet në reagim.
Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Pejë është përgjigjur ndaj kritikave të familjes.
“Brenda afatit optimal, janë siguruar pothuajse të gjitha provat relevante të kësaj çështje penale. Gjithashtu, nga prokurori i shtetit janë dhënë autorizime të ndryshme të cilat pasi janë siguruar dh do të shërbejnë në ketë procedurë penale.Derisa kjo vepër penale nga i pandehuri është kryer nga pakujdesia, brenda afatit ligjor prokurori i shtetit ka parashtruara kërkesë për caktimin e masës se arrestit shtëpiak, masë e cila ende është në fuqi deri me datë 01.07.2025. I pandehuri A.K, ka pranuar fajësinë para prokurorit të shtetit. Kurse, përveç kërkesës nga prokurori i shtetit që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë, ka propozuar t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues marrja e lejes se vozitjes”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Pejës.
Bazuar në kualifikimin e veprës penale, sipas Kodit Penal, dënimi për raste ku ka aksidente me të vdekur, të cilat shkaktohen nga pakujdesia, sipas kualifikimit të Prokurorisë, dënimi është prej 1 deri në 8 vjet.
Procesi gjyqësor për këtë rast, fillon së shpejti, dhe pasi i dyshuari e ka pranuar fajësinë, vendimi gjithashtu pritet së shpejti.