Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë për protestën e paralajmëruar për sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Policia ka bërë të ditur se do të angazhojë njësi policore për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, ndërsa varësisht nga zhvillimet në terren mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në rrugët përreth zonës së protestës.
Në njoftim, Policia ka përmendur edhe zhvillimet e protestës së mbrëmshme, duke thënë se disa protestues kanë hedhur vazhdimisht mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta në drejtim të objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë.
“Policia e Kosovës, me qëllim të vënies së situatës nën kontroll, mundësimit të lirisë së lëvizjes dhe parandalimit të eskalimit të mëtejshëm të situatës, është detyruar të veprojë ndaj personave që kanë shfaqur dhunë, duke përdorur mjetet e ligjshme policore, sprejin, gazin lotsjellës si dhe topin e ujit për shpërndarje të turmës”, thuhet në njoftim.
