Policia e Kosovës, respektivisht Njësia e Task Forcës nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje ka pranuar informatë se një kombi/furgon i dyshuar si i ngarkuar me mallra të kontrabanduara është duke lëvizur nga fshati Zllakuqan i Epërm-Maqedoni Veriore, përmes fshatit Stanqiq-Gjilan.
Pas pranimit të informatës së lartcekur, lidhur me rastin me datë 20 korrik 2023 janë vënë në lëvizje zyrtarë policor me veturë civile të cilët kanë bërë identifikimin e furgonit të dyshuar të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar me iniciale H.S, recedivist i kontrabandimit me mallra, ku pas kontrollit të realizuar në mjetin e tij janë gjetur të ngarkuara 3 (tre) krerë gjedhe, për të cilat i dyshuari ka pasur pasaporta dhe certifikata të pavlefshme, të dyshuara si të falsifikuara.
Lidhur me rastin është kontaktuar edhe njësiti i AVUK-ut të cilët kanë kostatuar se matrikulat janë të dyshuara.
Me urdhër të prokurorit gjedhët dhe furgoni janë dërguar në Terminalin Doganor të Dheut të Bardhë, ndërsa personi i dyshuar lirohet në procedurë të rregullt.