Policia demanton mediat serbe: Nuk është arrestuar ish-polici serb Z.M sot

Policia demanton mediat serbe: Nuk është arrestuar ish-polici serb Z.M sot
Policia e Kosovës, përmes njoftimeve të vazhdueshme tregon se është mjaft transparente dhe mban të informuar mediat dhe opinionin e gjerë lidhur me veprimet policore në nivel vendi, duke përfshirë edhe rastet ku kemi të bëjmë me arrestime të personave të dyshuar, ashtu siç e ka bërë të ditur edhe arrestimin e ndodhur mbrëmë të personit të dyshuar S.T, mashkull kosovar serb, i dyshuar për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.

Përmes këtyre njoftimeve zyrtare kemi për qëllim të mbajmë të informuar opinionin dhe mediat mbi realitetin dhe informatat zyrtare, dhe njëkohësisht të demantojmë spekulimet dhe dezinformatat e disa mediave (kryesisht serbe), të cilat në vazhdimësi në forma të ndryshme përmes spekulimeve dhe informatave jo zyrtare po tentojnë të destabilizojnë edhe më tej situatën si dhe të keq informojnë opinionin e gjerë.

Spekulimet e radhës nga mediumet serbe janë se kinse Policia e Kosovës edhe sot ka arrestuar një person (ish policin Z.M,) në Mitrovicë Veri, si dhe kinse Policia e Kosovës, në Veri të vendit ka penguar punonjësit e elektrodistribucionit për të kryer riparime të një defekti në rrjetin elektrik.

Edhe një herë, demantojmë këto spekulime, duke sqaruar se nuk ka informacione zyrtare nga Policia e Kosovës për një arrestim të personit në fjalë, si dhe Policia e Kosovës nuk ka penguar dhe nuk pengon në asnjë rrethanë, asnjë institucion apo punonjës të cilët kryejnë detyrat zyrtare, përkundrazi në rastin konkret janë ndërmarr veprime në bashkëveprim me kompetentët për adresimin dhe sanimin e këtij problemi në rrjetin elektrik.

Inkurajojmë qytetarët dhe mediat që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës në adresimin e kërkesave dhe konfirmimin e informatave zyrtare dhe mos të bien pre e dezinformatave të tilla.

Related Articles