Policia e Kosovës parandalon rast të kontrabandimit të mallrave në Hanit të Elezit

Policia e Kosovës parandalon rast të kontrabandimit të mallrave në Hanit të Elezit

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në rajonin e Hanit të Elezit, ku dy persona të dyshuar që ndodheshin në automjet e kanë braktisur atë dhe janë larguar në drejtim të Maqedonisë së Veriut.

Bëhet e ditur se dje rreth orës 19:00, policia ka vërejtur një automjet të tipit kombi-furgon pa targa regjistrimi, i cili kishte hyrë nga Maqedonia e Veriut në territorin e Republikës së Kosovës, duke përdorur rrugë ilegale.

Pavarësisht tentativës së policisë për ta ndaluar automjetin, ky i fundit nuk është ndalur dhe ka dalë nga rruga duke përfunduar në një hendek.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme mallrash që dyshohet se janë kontrabanduar, përfshirë:  këpucë për meshkuj dhe femra të markave të ndryshme, mjete pune kasaforta dhe veshje të ndryshme.

“Me urdhër të prokurorit kompetent, automjeti dhe mallrat e gjetura janë konfiskuar dhe janë dërguar në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare – Hani i Elezit, ndërsa do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës për procedurat e mëtejme ligjore”, njofton PK.  

Related Articles