Policia gjermane bastisi disa lokacione në rajonin lindor të Saksonisë të mërkurën si pjesë e hetimeve për atë që thotë se ishte komplot për vrasjen e kryeministrit rajonal, Michael Kretschmer, nga aktivistët kundër vaksinimit.
Bastisjet në qytetin Dresden i patën cak anëtarët e një grupi të programit për mesazhe, Telegram, ku u diskutuan planet për vrasjen e zyrtarit të lartë në lidhje me masat kufizuese kundër pandemisë, tha policia.
Grupi “Dresden Offlinevernetzung” e mori vëmendjen e autoriteteve pas një hulumtimi të publikuar javën e kaluar nga televizioni ZDF, shkruan Reuters.
Raportimi i televizionit gjerman zbuloi se anëtarët e këtij grupi në Telegram folën për vrasjen e përfaqësuesve të qeverisë së Saksonisë gjatë takimeve në Dresden.
Forcat speciale morën pjesë në bastisjet e së mërkurës, të nisura pasi deklaratat e anëtarëve të grupit në Telegram sugjeruan se ata mund të kenë në pronësi armë të mprehta dhe harqe, tha policia e Saksonisë.
Saksonia, rajoni i dytë me shkallën më të lartë të rasteve të reja të koronavirusit në Gjermani dhe me shkallën më të ulët të vaksinimit, është përballur me protesta të kundërshtarëve të kufizimeve gjatë pandemisë në javët e fundit./Gazeta “Enigma”/