Veturat që kalojnë nga Serbia në Kosovë janë të pakta, ndërsa nga Kosova po vazhdon qarkullimi normal i veturave të cilat po kalojnë përmes kësaj pike nga ana e Serbisë, pavarësisht se vetëm rreth 500 metra më tutje disa qytetarë serbë kanë dalë në mes të rrugës me qëllim që ta bllokojnë këtë pikë kufitare.
Në Jarinjë, ekipi i Kallxo ka ndjekur nga afër edhe një rast për të cilin policët dëgjohen deri sa rekomandojnë disa mërgimtarë që të shmangin këtë pikë kalimi për shkak të protestës së paralajmëruar nga qytetarët serbë.
Të njëjtit vazhduan rrugën drejtë kësaj pike për në Serbi.
Në Jarinjë zyrtarisht nuk është mbyllur kjo pikë kufitare por vazhdon të ketë kohë pas kohe qarkullim të vogël të veturave. Ajo çka shihet më shpesh është qarkullimi i mauneve të mëdha që po hyjnë nga Kosova në Serbi.
Në anën tjetër policët e rendit e ata kufitarë të Kosovës janë parë në pikën kufitare Jarinjë duke vazhduar me detyrat e tyre në bazë të planit operacional.
Vendkalimet Bërnjak, Jarinjë, Merdarë nga ana e Serbisë qendrore dhe vendkalimi Kullë në rrugën Pejë-Rozhajë nga ana e Malit të Zi – janë pikat për të cilat është njoftuar se të njëjtat do të bllokohen nga grupe të ndryshme të qytetarëve serbë.