Policia e Kosovës ka pranuar informacion se në zonën e Leposaviqit, një person i identifikuar me inicialet M. V., shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe.
Policia tha se janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi.
Policia tha se vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës (siç quhet pika zero -0-), në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar.
“Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante dhe me organet e drejtësisë, ku në konsultim me prokuroren kompetente të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, është iniciuar rasti”, thuhetnë njoftim.
