Cristiano Ronaldo është në radarin e Paris Saint-Germanit, në rast se Kylian Mbappe vendos t’i bashkohet Reali Madridit. Mirëpo, Juventusi preferon që portugezi të transferohet në Ligën Premier.
Ka mbetur edhe një javë deri në mbyllje të afatit kalimtar veror, ndërsa akoma është e paqartë nëse 36-vjeçari do të qëndrojë te Zonja e Vjetër apo do të përfshihet në ‘domino efektin’ e përmendur.
Mbappe është çelësi i enigmës, anësori i PSG-së nuk e ka pranuar ofertën e klubit francez dhe pret lëvizjen finale të Realit. Në rast të kalimit të tij te Los Blancos, atëherë hyn në lojë plani Ronaldo, i cili mund të transferohet në Parc des Princes për t’u bashkuar me rivalin e tij më të madh, Lionel Messi.
Sidoqoftë, gjasat më të mëdha janë që CR7 të qëndrojë te Juve në sezonin 2021/2022 për ta përfunduar kontratën, e cila i skadon në fund të qershorit të vitit të ardhshëm.
Meqenëse nuk ka asgjë konkrete nga Manchester Unitedi, Sky Sports Italia sugjeron se Manchester City mund të jetë blerësi i vetëm potencial i Ronaldos dhe kampioni i Anglisë është opsioni i preferuar i Bianconerëve.
Arsyeja për këtë është se Juve ka identifikuar Gabriel Jesusin si pasues afatgjatë të portugezit dhe planifikon një marrëveshje shkëmbimi mes dy lojtarëve.