Presidenca të martën ka njoftuar për takimin e së hënës mes presidentes Vjosa Osmani dhe komandantit të KFOR-it, Enrico Barduani, raporton Gazeta Enigma.
“Në vazhdë të takimeve të rregullta me komandantin e KFOR-it, si dhe në prag të përfundimit të mandatit të tij, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për angazhimin e pandërprerë të tij dhe të ushtarëve të KFOR-it në mirëmbajtjen e paqes dhe të sigurisë në Kosovë në bashkëpunim me institucionet e sigurisë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
“Ajo ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve tona të sigurisë dhe KFOR-it, si garanci për stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Rreth takimit të një dite më parë mes të parës së shtetit dhe komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, detaje ka dhënë edhe KFOR-i.
Barduani theksoi rëndësinë e zgjidhjes së shpejt të ngërçit parlamentar dhe koordinimit të rregullt me organet e sigurisë si faktor kyç për stabilitetin në vend.