Shefi i stafit në Kabinetin e Presidencës, Blerim Vela, ka reaguar pas protestës të së dielës të dhjetëra serbëve të ekstremit të djathtë në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë.
Vela ka ironizuar për mënyrën e tërheqjes nga kjo protestë, duke thënë se regjimi serb pati organizim jo të duhur të protestës.
“Protestuesit kaluan nga ‘nema predaje’ (pa dorëzim) në ‘hajmo nazad’ (të tërhiqemi)… Kjo tregon se sa e organizuar ishte kjo “protestë” e regjimit të Serbisë”, ka shkruar Vela në Twitter.
Ai shtoi se Kosova “nuk do të bjerë pre e kësaj shfaqjeje teatrale të krahut të djathtë të sponsorizuar nga Beogradi dhe Moska”.
“Integriteti ynë territorial është i pacenueshëm”, tha më tej ai
Në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, janë mbledhur të dielën dhjetëra serbë të ekstremit të djathtë, të cilët pas dy orëve janë shpërndarë.
Protesta, që ishte thirrur nga dega në Serbi e grupit paramilitar rus Wagner, ishte përcjellë me tensione.
Ata kanë arritur të kalojnë grupin e parë të policëve serbë që po kontrollonin turmën, por nuk u lejuan të hyjnë në Kosovë nga grupi i dytë i policisë serbe.
Ka pasur arrestime në mesin e protestuesve, ndërsa edhe përleshje.