Gjatë vizitës zyrtare të Presidentit të Argjentinës, Javier Milei, në Izrael, ai dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu zhvilluan një takim kokë më kokë që kulmoi me nënshkrimin e “Marrëveshjeve Isaac”.
Kjo iniciativë synon të forcojë ndjeshëm lidhjet diplomatike dhe ekonomike mes Izraelit dhe Amerikës Latine.
Një nga njoftimet më kryesore të këtij takimi ishte hapja e një linje direkte fluturimi nga kompania El Al mes dy vendeve, e cila pritet të nisë në fund të vitit 2026.
Netanyahu dhe Ministrja e Transportit, Miri Regev, e vlerësuan këtë hap si një lëvizje strategjike për të zgjeruar hartën e aviacionit izraelit dhe për të afruar më shumë dy popujt përmes turizmit dhe shkëmbimeve tregtare.
Përveç aviacionit, bashkëpunimi u shtri edhe në fusha kritike si siguria dhe teknologjia.
Ministri i Jashtëm, Gideon Sa’ar, dhe homologu i tij argjentinas nënshkruan një marrëveshje për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, e cila parashikon shkëmbim informacioni dhe trajnime të përbashkëta për forcat e rendit.
Po ashtu, u ra dakord për një linjë krediti prej 150 milionë dollarësh për bizneset izraelite në Argjentinë dhe një memorandum mirëkuptimi për Inteligjencën Artificiale, që përfshin kërkime të përbashkëta dhe infrastrukturë llogaritëse.
Megjithatë, vizita nuk kaloi pa debate të brendshme politike. Gjatë provave për ceremoninë e Ditës së Pavarësisë së Izraelit, Milei u shfaq në skenë duke kënduar së bashku me artistët, një veprim ky që u kritikua ashpër nga deputeti i opozitës, Vladimir Beliak.
Ai vuri në dyshim rëndësinë e këtij gjesti në raport me festimet shtetërore të Izraelit, duke krijuar një moment polemikash në media pas njoftimeve të rëndësishme diplomatike raporton a2cnn
