Trajneri i Kombëtares së Kosovës A në futboll, Alain Giresse ka publikuar sot listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet ndaj Qipros dhe Irlandës së Veriut që luhen në kuadër të Ligës së Kombeve.
Nga lista e Kombëtares A, Alain Giresse ka ftuar tre lojtarë nga Superliga e Kosovës, Lindon Emërllahun, Ilir Krasniqin dhe Lumbardh Dellovën.
Po ashtu gjatë ditës së djeshme edhe trajneri Afrim Toverlani trajner i Kosovës U21 e ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar.
Nga këto dy publime nuk gjindet asnjë lojtarë i Dritës, gjë e cila nuk i ka pëlqyer presidentit të klubit, Valon Murseli.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Murseli ka thënë se është tejet i zhgënjyer që asnjë futbollist i Dritës nuk është përfshirë në njërën prej këtyre listave.
Ai ka thënë se nuk po mund të besojë se si janë neglizhuar futbollistët e njërit prej klubeve më të mëdha në Kosovë.
Murseli ka thënë se ka reaguar për t’i mbrojtur futbollistët e tij, ndërsa ka shtuar se mesfushori Muharrem Jashari ka merituar të ftohet te Kosova A pas paraqitjeve të mira në arenën ndërkombëtare.
Po ashtu, ka thënë se te Kosova U21, ftesën e ka merituar plotësisht edhe sulmuesi Ardit Tahiri.
“Jashtëzakonisht i zhgënjyer nga lista e Kombëtares A dhe U21, për çudi nuk është asnjë futbollistë i Dritës. Si president i njërit prej klubeve më të mëdha në vend FC Drita, kam mbetur jashtëzakonisht i zhgënjyer nga lista e Kombëtares së Kosovës A dhe ajo U21. Drita ka qenë ndër ekipet më të mira sezonin e kaluar, ka pasur paraqitje fantastike në Evropë dhe është lider aktual i Superligës së Kosovës dhe nuk e ka asnjë futbollistë të ftuar në Kombëtaren A ose atë të U21. Si president i klubit gjithmonë investojmë në futbollistë të rinj dhe të talentuar dhe mendoj se kemi disa emra që është dashur të ftohen nga Kombëtarja A ose ajo e 21-vjeçarëve. Këtë shkrim po e bëj për t’i mbrojtur futbollistët e mi dhe për t’i përkrahur pasi mendoj se kanë merituar ftesë për ndeshjet që kanë bërë në garat evropiane dhe në këtë fillim sezoni”, ka shkruar Murseli.
“Muharrem Jashari padyshim që ka qenë më i miri në Evropë dhe jo rastësisht kemi pasur pesë oferta për të nga klube evropiane, ndërsa ndeshjet e tij të jashtëzakonshme nuk vlerësohen nga askush në Federatë apo Përfaqësuese të Kosovës. As tek grupmoshat e 21-vjeçarëve nuk kemi asnjë futbollist edhe pse Ardit Tahiri më parë ka qenë i ftuar rregullisht dhe luan te lideri i Superligës. Kemi edhe futbollistë të tjerë që kanë merituar ftesën dhe jam vërtet shumë i zhgënjyer nga injorimi që i është bërë Dritës dhe futbollistëve të saj”.