Presidenti Agim Ademi në shoqëri të ud. Sekretarit të Përgjithshëm, Markus Weidner, ka pritur në selinë e FFK-së delegacionin e Komitetit HatTrick në krye me dy zëvendëspresidentët e UEFA-s, Karl Erik Nilsson dhe Armand Duka, të shoqëruar nga zëvendësit e tyre George Koumas dhe Michail Kassabov si dhe anëtarët e tjerë të këtij komiteti nga federata të ndryshme anëtare të UEFA-s, si Marie Coipel, Wojciech Cygan, Niccolò Donna, Kaarlo Kankkunen, Armen Melikbekyan, Muamed Sejdini, Zoltán Roskó, Samuel Scheidegger, Ane Guro Skaare-Rekdal si dhe të deleguarin e FIFA-s Marco Ferri.
Komiteti HatTrick si një nga organet më të rëndësishme vendimmarrëse të UEFA-s këtë vit ka përzgjedhur Federatën e Futbollit të Kosovës për të organizuar një nga mbledhjet e rëdësishme të tij, përmes së cilës ofrohet mbështetje në realizimin e projekteve të shteteve anëtare, të cilat rrjedhimisht ndihmojnë në përmirësimin e standardeve të futbollit.
Gjatë qëndrimit në FFK, anëtarët e Komitetit HatTrick panë zyrat dhe objektin e FFK-së në tërësi, si një nga projektet e mbështetura nga ky program. Ata u takuan edhe me administratën e FFK-së, numri i të cilëve është rritur afër 50 sosh, po ashtu falë programit Hat Trick.
Presidenti i FFK-së Agim Ademi i uroi mirëseardhje delegacionit të Komitetit HatTrick, derisa të njëjtit i njoftoi me punët që FFK po bënë në zhvillimin e futbollit.
Në anën tjetër, kryetari i Komitetit HatTrick, Karl Erik Nilsson vlerësoi FFK-në për punën dhe angazhimin në ngritjen e Futbollit në Kosovë, derisa theksoi se qëllimi i programit është të inkurajoj federatat anëtare që të përmirësohen në të gjitha sferat.
Presidenti Ademi i shoqëroi anëtarët e Komitetit HatTrick në Kampin Nacional në Hajvali për të parë zhvillimin e këtij projekti i cili është financuar nga UEFA, fillimisht me miratimin e Komitetit Hat Trick. Falë kësaj mbështetje, sot, FFK përveç se ka arritur të ndërtoj një kamp i cili i plotëson të gjitha kushtet për grumbullimin e të gjitha grupmoshave të Kombëtares së Kosovës, me dy fusha me bari sintetik, pas përfundimit të projektit FFK do ta ketë edhe stadiumin e saj të kategorisë së katërt i cili është në përfundim e sipër, me gjithsej 14 mijë ulëse dhe do të jetë adresa kryesore për zhvillimin e të gjitha ndeshjeve zyrtare të Kombëtarës së Kosovës. Zyrat e këtij kampi, që nga ndërtimi i tyre po ashtu kanë shërbyer për të zhvilluar edhe pjektet tjera të përbashkëta me UEFA-n dhe ofrimin e mundësive për edukim dhe zhvillim.
Ndër të tjera programi “Hat Trick” po ashtu ka përkrahur projektet e FFK-së në zhvillimin e infrastrukturës në të gjitha regjionet e Kosovës. Projekti i FFK-së për ndërtimin e fushave me bari sintetik në komuna të ndryshme, është mbështetur financiarisht nga UEFA, duke krijuar kështu kushte më të mira për të rinjtë dhe klubet e futbollit.
Bashkëpunimin e mirë ndërmjet FFK-së dhe UEFA-s e dëshmon mbledhja e një rëndësie kaq të lartë të Komitetit HatTrick, e cila mbahet nesër në Hotel Emerald në Prishtinë. Aty do të prezantohen dhe analizohen të gjitha projektet e aplikuara nga federatat anëtare të UEFA-s, të cilat kërkojnë mbështetje në realizimin e tyre.